
Kreu i AAK-së thotë se reduktimet e energjisë janë alarmante dhe kërkon trajtim urgjent të sigurisë energjetike.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësimin se rezultatet e zgjedhjeve të fundit nuk do të sjellin zgjidhje për problemet e përditshme me të cilat përballen qytetarët e Kosovës, duke vënë theks të veçantë te kriza energjetike.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka theksuar se gjendja me energjinë elektrike është alarmante, pasi shumë vendbanime po përballen me reduktime të zgjatura, në një kohë kur temperaturat janë të ulëta dhe shumica e qytetarëve ngrohen me energji elektrike.
“Rezultatet që dolën nga zgjedhjet që sapo i kaluam, kam shqetësimin se nuk do t’i zgjidhin problemet e përditshme me të cilat përballen qytetarët tanë. Gjendja e rënduar me energji është alarmante. Shumë vendbanime po përballen me reduktime të tejzgjatura, në kohë kur temperaturat janë të ulëta dhe dihet që shumica e qytetarëve të Kosovës ngrohjen e kanë përmes energjisë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka shtuar se situata bëhet edhe më e ndërlikuar për shkak të pranisë së bashkatdhetarëve nga diaspora, të cilët po i kalojnë pushimet në Kosovë.
Sipas Haradinajt, kjo gjendje është e papranueshme dhe kërkon veprime të menjëhershme nga institucionet, duke kërkuar investime urgjente në kapacitete të reja energjetike, përfshirë ndërtimin e termocentraleve me thëngjill dhe gaz. Ai ka theksuar se siguria energjetike duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare, për të shmangur mungesat e energjisë dhe faturat e larta për qytetarët.



