
Juristi Bardhyl Hasanpapaj ka vlerësuar se presidentja Vjosa Osmani më 4 prill mbyll një mandat të suksesshëm në këtë post.
Në “Konfront” të KTV-së, në diskutimin për fundin e mandatit të Osmanit, Hasanpapaj ka thënë se ajo ka pasur rol të rëndësishëm në “një moment shumë delikat të Kosovës”.
Këtu ka shtuar se ajo ka thyer izolimin me të cilin përballej Kosova në arenën ndërkombëtare.
“Ka treguar se është presidente e veprimeve dhe vendimeve. Jo e hezitimeve. Ka qenë shumë aktive sidomos në arenën ndërkombëtare, por s’i ka lënë gjë mangu as në pjesën e brendshme. Kështu që ka qenë lojtare e fortë jo vetëm institucionale e politike, por edhe figurë e fuqishme rreth së cilës është zhvilluar edhe debati politik dhe jeta politike në vend”, ka thënë ai.
Duke folur për ato që i ka vlerësuar si arritje të Osmanit, Hasanpapaj ka përmendur takimet e Osmanit me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Si presidente e ka takuar gjashtë herë presidentin më të fuqishëm të botës, presidentin Trump. Të ketë mundësi të jetë në rrethin e tij të ngushtë dhe në forume ndërkombëtare ku në një periudhë kaq të shkurtër kohore e takon gjashtë herë, është nder dhe privilegj për Kosovën që sado si vend i vogël të jetë pjesë e forumeve ndërkombëtare kaq të fuqishme dhe të jetë prezente në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Hasanpapaj ka thënë se Osmani ka sjellë katër njohje për Kosovën, ka themeluar raporte diplomatike e ka siguruar heqjen e vizave për një numër shtetesh.
“Po e mbyll një mandat me sukses të jashtëzakonshëm dhe besoj se do të mbahet mend gjatë”, ka thënë ai.
Osmanit i mbaron mandati më 4 prill. Ajo nuk ka marrë mbështetjen e pushtetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për një mandat të dytë. Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri, ose vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh.
Osmani ka paralajmëruar se do të vazhdojë angazhimin politik.



