
Bekim Haxhiu akuzon KQZ-në për manipulim të rinumërimit: Të rikthehet menjëherë procesi sipas komunave
Ish-deputeti i PDK-së thotë se ndryshimi i metodologjisë në mes të procesit ka dëmtuar besimin e qytetarëve dhe kërkon hetim nga Prokuroria, “duke filluar nga kreu i KQZ-së”.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) se është shndërruar nga garantuese e votës në një instrument manipulimi të procesit zgjedhor.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka kërkuar rikthimin e menjëhershëm të rinumërimit sipas rendit të komunave, duke pretenduar se vendimet e fundit të KQZ-së bien ndesh me Ligjin për Zgjedhjet.
Sipas tij, fillimisht KQZ ka marrë vendime në kundërshtim me ligjin dhe më pas ka ndryshuar metodologjinë e rinumërimit në mes të procesit, duke braktisur rendin sipas komunave dhe vendvotimeve.
“Ky ndryshim arbitrar ka prodhuar devijim të qartë të trendit të rezultateve dhe ka dëmtuar rëndë besimin e kandidatëve dhe qytetarëve. Kur rinumërimi ndërpritet pa kriter, vazhdohet me komuna të tjera dhe humbet gjurmueshmëria e vendvotimeve, procesi bëhet i pabesueshëm”, ka shkruar ai.
Haxhiu ka kërkuar transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale, duke theksuar se çdo votë e cenuar është një goditje ndaj demokracisë.
Ai po ashtu i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë hetime për të gjitha vendimet dhe veprimet që, sipas tij, kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor.
“Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet, duke filluar nga kreu i KQZ-së e deri te çdo individ që ka shkelur ligjin dhe ka manipuluar vullnetin e qytetarëve”, ka deklaruar ish-deputeti



