
Nënkryetarja e Kuvendit thotë se Qeveria Kurti nuk ka pranuar marrëveshje politike në këmbim të reformës në drejtësi.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zbuluar detaje nga takimet me partnerët ndërkombëtarë, duke deklaruar se ka pasur sinjale se Lista Serbe do ta mbështeste procesin e Vettingut, nëse Qeveria Kurti do të pranonte themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të njohur si Zajednica.
Duke folur në emisionin në ATV, Haxhiu tha se ky propozim ka ardhur edhe nga partnerët ndërkombëtarë, por sipas saj, Qeveria nuk ka pranuar të hyjë në një diskutim të tillë apo të bëjë kompromise politike për këtë çështje.
“Ka pasur zëra edhe tek partnerët tanë që, nëse qeveria Kurti e bën Zajednicën, Lista Serbe e voton Vettingun. Partnerët kanë thënë që ne kemi folur me Listën Serbe për Vetting, por kërkesa e tyre është Zajednica. Ne nuk kemi pranuar ta bëjmë Zajednicën”, deklaroi Haxhiu.
Ajo theksoi se Vettingu në sistemin e drejtësisë është një reformë e domosdoshme për shtetin e Kosovës, por sipas saj, kjo nuk mund të kushtëzohet me marrëveshje politike që cenojnë parimet dhe interesat e vendit.
Haxhiu shtoi se Qeveria Kurti ka qëndruar e palëkundur në qëndrimin e saj kundër themelimit të Zajednicës, duke insistuar që reformat shtetërore duhet të realizohen pa pazare politike dhe pa kushte që, sipas saj, dëmtojnë funksionalitetin e shtetit.



