
Nënkryetari i LDK-së: Shkrimet për ndërrim pozicionesh janë absolutisht të pavërteta.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar në Facebook ndaj një raportimi në RTV21, ku u tha se është arritur një marrëveshje mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për ndarjen e posteve institucionale.
Sipas raportimit, Haziri do të merrte postin e kryetarit të Kuvendit, ndërsa Albulena Haxhiu atë të presidentes.
Haziri i ka quajtur këto raportime të pavërteta, duke theksuar se LDK dhe kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, janë në bisedime për t’i dhënë vendit një president.
“LDK dhe kryetari Abdixhiku janë në bisedime për t’i dhënë vendit President. Shkrimet në media për ndërrime të pozicioneve janë absolutisht të pavërteta”, ka shkruar Haziri.
Ai shtoi se LDK mbetet e angazhuar për krijimin e institucioneve funksionale dhe përfaqësuese në vend.



