
Shkroi: Festim Rizanaj
Raportimi i mediave në Kosovë mbi artikullin e gazetës zvicerane “Neue Zurcher Zeitung” për takime jozyrtare mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Zvicër shpërfaqi keqinterpretimin e burimeve ndërkombëtare dhe ndërtimin e narrativave që nuk mbështeten drejtpërdrejt në tekstin origjinal.
Artikulli i “NZZ” nuk raportonte për takime të drejtpërdrejta mes zyrtarëve të caktuar, por për ekzistencën e një formati të bisedimeve joformale, ku sipas burimeve, kanë marrë pjesë rregullisht edhe ministra nga të dyja palët. Megjithatë, ndërlidhja e gabuar e paragrafëve dhe interpretimi selektiv i përmbajtjes bëri që një pjesë e mediave në Kosovë ta paraqesin këtë raportim si dëshmi për takime të fshehta mes individëve konkretë, duke e shtrembëruar kuptimin origjinal të tekstit.
Ky rast shërben si shembull ilustrues i mënyrës se si mungesa e verifikimit të kujdesshëm dhe leximi i pjesshëm i burimeve serioze mund të prodhojnë dezinformim. Analiza e mëposhtme synon të shqyrtojë se ku ndodhi ky devijim, si u përhap ai në mediat në Ksovë dhe pse u desh një sqarim nga vetë redaksia e gazetës zvicerane.
Të nisim nga e para:
Të martën (6 janar), mediumi zviceran “Neue Zurcher Zeitung” raportoi për takime jozyrtare mes palës kosovare dhe asaj serbe në Solothurn të Zvicrës, në dhjetor të vitit të kaluar.
Sipas këtij artikulli, këto takime nuk janë të parat pasi mediumi në fjalë thotë të ketë raportuar edhe më 2022 për të njëjtat.
Në artikull thuhet se deri tani, në Zvicër nuk është ditur që në këto takime kanë marrë pjesë rregullisht edhe ministra nga të dy palët, pra nga Kosova dhe Serbia.
Artikulli, që në hyrje thotë se “një politikan i lartë kosovar dhe një politikan i lartë serb ecin së bashku drejt hotelit të tyre, pasi kanë përfunduar darkën, nëpër qytetin e vjetër të Solothurnit”.
“Sipas burimeve të informuara, kjo skenë është vërejtur në margjinat e bisedimeve konfidenciale që Zvicra i organizon rregullisht mes dy palëve në konflikt. Në publik, në të dyja anët dominojnë zërat e ashpër, ndërsa politikanët rrallë fitojnë mbështetje elektorale me tone pajtuese. Por në këtë qytet të vogël zviceran, përfaqësuesit e të dyja palëve bisedonin mes vete me një afërsi të tillë, saqë kjo i habiti edhe njohësit e mirë të konfliktit”, shkruan artikulli i “NZZ”, mes tjerash.
Më tej, në paragrafin e dytë, artikulli përmend edhe emrin e zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, por edhe të ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, në mesin e përfaqësuesve të shteteve respektive në këto takime.
Por, të shkojmë në vijim në një shqyrtim më të detajuar të këtij artikulli dhe transmetimeve të tij në mediat në Kosovë.
Çfarë pasoi nga ky raportim?
Me t’u publikuar ky artikull, shumë media në Kosovë e morën dhe e ritransmetuan të njëjtin. Megjithatë, disa nga to bënë ndërlidhje mes paragrafëve të tij.
Duke u thirrur në artikullin e NZZ, në disa nga mediat u raportua se ka pasur takim mes Bislimit dhe Gjuriqit. Artikulli, kryesisht duke u thirrur në burime, ka raportuar se së voni në Zvicër është mësuar se “në këto takime merrnin pjesë rregullisht edhe ministra nga të dyja palët”, por pa përmendur emra. Në fjalinë pasuese, artikulli thotë se “ndër pjesëmarrësit” e këtyre takimeve ishin edhe Bislimi dhe Gjuriqi, por pa thënë se mes tyre ka pasur apo nuk ka pasur një takim.
Duke qenë se artikulli origjinal i NZZ nuk e tha në asnjë rast se një takim mes tyre ka ndodhur, redaksia e gazetës zvicerane u detyrua të plotësojë artikullin me një demantim për një takim të tillë.
Plotësimi i është bërë paragrafit ku flet për atë se në takime, në përgjithësi, kanë marrë pjesë edhe ministra si nga pala kosovare, ashtu edhe nga ajo serbe.
“Megjithatë, dy të fundit nuk janë takuar drejtpërdrejt me njëri-tjetrin”, është fjalia që iu shtua artikullit origjinal të “NZZ am Sonntag” në ndërkohë.
Si raportuan fillimisht mediat në Kosovë?
“Gazeta Nacionale”, të martën (6 janar) publikoi një artikull me këtë titull: ““Bislimi e Gjuriqi folën aq familjarisht, sa u habitën të gjithë”: Gazeta zvicerane raporton për takime të fshehta në Solothurn” (këtu).
“VOX Kosova”, të martën (6 janar) publikoi një artikull me këtë titull: “LARG KAMERAVE Bislimi u takua fshehtë me Gjuriçin në Zvicër” (këtu).
“Gazeta Express”, të martën (6 janar) publikoi një artikull me këtë titull: “Gazeta “NZZ” zbulon takimet e fshehta të Bislimit me Gjuriqin në Solothurn të Zvicrës: Vite të tëra s’u mor vesh asgjë” (këtu).
“Paparaci”, të martën (6 janar) publikoi një artikull me këtë titull: “Gazeta zvicerane “NZZ” zbulon takimet e fshehta të Bislimit me Gjuriqin në Soloturn” (këtu).
Çka thanë nga qeveria në detyrë dhe nga Lëvizja Vetëvendosje?
Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, e ka cilësuar të qëllimshëm keqinterpretimin e artikullit të gazetës zvicerane teksa ka mohuar “takime të fshehta e sekrete” me Gjuriqin. Ai ka paralajmëruar edhe ankesë/padi për shkrimet.
“Dezinformata të shumta dhe propagandë nga portale në Kosovë u përhapën dje duke keqinterpretuar qëllimshëm një artikull të gazetës zvicerane NZZ. Është për keqardhje me sa lehtësi dhe shpejtësi krijohen dhe shpërndahen dezinformatat me synim informimin e rrejshëm ndaj opinionit publik dhe çorientim të së vërtetës. Si Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës apo në kapacitet tjetër, asnjëherë nuk kam pasur takime “të fshehta e sekrete”, e aq më pak me personazhe si Marko Gjuriq. As gazeta serioze zvicerane NZZ nuk aludoi në shkrimin e saj që nga publikimi në asnjë moment për një takim të tillë, por ishin portalet joprofesionale dhe gazetarë joprofesionalë që raportuan rrejshëm në atë mënyrë, duke keqpërdorur artikullin nga NZZ. Dezinformatat e shumta të shpërndara në mënyrë të qëllimshme do t’i adresoj përmes ankesës/padisë në institucionet relevante”, shkroi ai në Facebook.
Edhe Klisman Kadiu, këshilltar i Zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, ka mohuar të ketë pasur takim mes shefit të tij dhe Gjuriqit.
“Zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator në këtë mandat, në procesin e dialogut, nuk ka patur takime ‘të fshehta’, e aq më pak me Marko Gjuriq”, tha ai përmes një postimi në Facebook.
Edhe Mimoza Kusari, ish-shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, përmes një postimi në Facebook, demantoi raportimet për një takim mes Bislimit dhe Gjuriqit (këtu).
“Lajm i rremë në NZZ, lajm i rremë në disa platforma kosovare. Zelli për shpërndarjen e lajmeve të rreme mbetet i njëjtë, përkundër fakteve të qarta që e demantojnë plotësisht këtë narrativë. Kjo nuk është gazetari është papërgjegjësi”, shkroi Kusari.
Mediat në Kosovë përditësojnë artikujt
Pas përditësimit nga gazeta “NZZ am Sonntag”, ku thuhet shprehimisht se nuk ka pasur takim të drejtpërdrejtë mes Bislimit dhe Gjuriqit, njëjtë kanë vepruar edhe “Nacionale” dhe “VOX Kosova”.
“VOX Kosova” madje kontaktoi edhe gazetarin e artikullit, Tobias Gafafer. Ai, në një përgjigje me shkrim, deklaroi se në artikull “ka shkruar se ministra nga të dyja palët kanë marrë pjesë rregullisht në këto takime dhe se Bislimi dhe Gjuriq kanë qenë ndër ta”. Megjithatë, ka theksuar se “nuk ka shkruar se ata janë takuar mes vete” (këtu)
Identifikimi i pjesëmarrësve
“VOX Kosova” në ndërkohë publikoi një artikull tjetër që duket se plotëson raportimin e NZZ, përmes së cilit pretendon se e ka siguruar fotografinë e ndërlidhur me artikullin e gazetës zvicerane. Në këtë fotografi, që raportohet se daton nga mesi i nëntorit të vitit 2023, shfaqen ish-shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, si dhe politikania serbe Sanda Rashkoviq Iviq. (këtu)
Krahas kësaj, u publikua edhe një fotografi tjetër ku identifikohen pjesëmarrës të tjerë. Nga pala kosovare, përveç Kusari-Lilës, aty shihen edhe Fitore Pacolli e Vetëvendosjes, Bernard Nikaj i Partisë Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Prapa Fitore Pacollit shihet ministri serb i Integrimeve Evropiane, Nemanja Staroviq, anëtar i partisë së Presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq. Pjesë e takimit ishte gjithashtu edhe Dalibor Jevtiq i Listës Serbe.
Kusari-Lila, përmes një reagimi në faqen e saj në Facebook, nuk e mohoi autenticitetin e fotografisë së publikuar, por theksoi se në atë rast ka “përfaqësuar dhe mbrojtur” qëndrimet zyrtare të Qeverisë së Kosovës.
“Për më tepër, përpjekja për të veçuar përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga pjesëmarrësit e tjerë tregon qartë se synimi i raportimeve është ndërtimi i një narrativi të rremë, i cili prej vitesh tentohet t’i imponohet publikut”, shkroi ajo.
Ku çaluan mediat në Kosovë?
Artikulli i datës 6 janar, 2026 i “NZZ am Sonntag” raportonte për takime jozyrtare mes palës kosovare dhe asaj serbe në Zvicër. Ndonëse artikulli përmend një shëtitje miqësore mes një përfaqësuesi të palës kosovare dhe një përfaqësuesi të palës serbe nëpër rrugët e qytetit të vogël zviceran, si dhe për habinë që disa kishin për këtë afërsi mes dy palëve, asnjëherë nuk përmend me emra se kush ishin ata.
Gazeta ka bërë ndarjen mes ndërlidhjes potenciale të pjesës ku thuhet se politikanë të lartë të Kosovës dhe të Serbisë janë parë shumë të afërt me njëri-tjetrin dhe me pjesën ku përmenden Bislimi dhe Gjuriqi.
Ndarja bëhet te pjesa ku thuhet: “Megjithatë, në Zvicër, deri më tani, nuk ishte e ditur publikisht se nga të dyja palët merrnin pjesë rregullisht ministra. Sipas disa burimeve, mes tyre ishin zëvendëspresidenti i Kosovës Besnik Bislimi, i cili është përgjegjës për negociatat me Beogradin, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë dhe ish-ambasadori në ShBA, Marko Gjuriq”.
Pra, mediat në Kosovë kanë anashkaluar këtë shkëputje, duke e bërë ndërlidhjen mes paragrafit të parë dhe të dytë të artikullit. Paragrafi i parë flet për shëtitjen miqësore mes përfaqësuesve të palës kosovare dhe asaj serbe, ndërsa paragrafi i dytë flet për atë që thuhet se është mësuar rishtazi se në takime kanë marrë pjesë edhe ministra nga të dyja palët. Këtu pastaj përmendet se në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe Bislimi e Gjuriqi, por pa thënë se këta të dy ishin takuar.
Si rezultat i këtyre raportimeve, redaksia e “NZZ am Sonntag” u detyrua të shtojë një fjali sqaruese, duke theksuar se Bislimi dhe Gjuriqi nuk janë takuar drejtpërdrejt.
Në këtë rast, dështimi nuk ishte vetëm interpretues, por editorial: ndërlidhja e paragrafëve pa kontekst dhe pa verifikim prodhoi një lajm që nuk ekzistonte në burimin origjinal.



