
Christopher Hill, ish-ambasador i ShBA-së në Ballkanin Perëndimor, është duke e vazhduar edhe sot dëshminë e tij në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Hill, që është i ftuar i mbrojtjes si dëshmitar, ka folur në lidhje me figurën e ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ai ka treguar se Rugova nuk ka kërkuar asnjëherë më pak se pavarësi.
“Millosheviqi mendonte se ne po largoheshim nga Rugova dhe mendonte se ishte gabim i rëndë sepse mendonte se atij i duhej të merrej me UÇK-në, që kishte qëndrim të ashpër. Rugova asnjëherë nuk kërkoi më pak se pavarësia, por pranoi se nuk ishte i interesuar për luftën e armatosur” – ka theksuar Hill, transmeton Gazeta Politika.
Tutje, ai ka treguar se pavarësia ishte e panegociueshme në kampin e shqiptarëve.
“Kishte shumë persona që prezantoheshin se flisnin në emër të UÇK-së. Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti të konfirmuar me të cilën mund të komunikonim për të ardhmen. Çështja e pavarësisë së Kosovës ishte më shumë slogan. Të gjithë thonin se ky është qëllimi ynë. Ishte e vështirë të gjeje ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte duam thjesht autonomi” – tha Hill, transmeton Gazeta Politika.



