
Ish-zyrtari amerikan rrëfen ndikimin e SHBA-së në takimin mes Rugovës dhe Millosheviqit në vitin 1998.
Në dëshminë e tij në mbrojtje të ish-liderit të UÇK-së, Hashim Thaçit, diplomati amerikan, Christopher Hill foli për ish-presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë që ai udhëhiqte.
Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk dëshironte që Rugova të ishte zëri i Kosovës.
“Në vend që Ibrahim Rugova të ishte zëri i Kosovës, ata donin që vetë të ishin zëri i Kosovës. Mendoj që zëvendësimi i Rugovës si zëri i Kosovës dhe që vetë ata të flisnin për pavarësimin e Kosovës, ishte ndër synimet e tyre,” deklaroi Hill.
Ai gjithashtu komentoi takimin mes Rugovës dhe presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, në Beograd në vitin 1998, duke thënë se ky takim u nxiti nga SHBA-ja.
“Kur ambasadori Richard Holbrooke shkoi në Prishtinë, unë isha me të, dhe u ulëm me presidentin Rugova. Edhe pse nuk e kishim diskutuar këtë paraprakisht, ambasadori Holbrooke tha se ishte ide e mirë nëse Rugova do ta takonte Millosheviqin në Beograd, sepse mendonte se ky takim do të zgjidhte shumë probleme. Unë isha shumë skeptik,” shtoi Hill.



