Hollaj i reagon aktivistëve të Vetëvendosjes: Mos bëni propagandë që e dëmton shtetin

Asistentja e Presidentes thotë se akuzat për bashkëpunim me liderë rajonalë apo opozitën për rrëzimin e qeverisë janë të pavërteta dhe dëmtojnë shtetin.

Asistentja e Presidentes së Kosovës, Learta Hollaj, ka reaguar ndaj pretendimeve që po qarkullojnë në mesin e aktivitëve të VV-së, për një skenar të mundshëm për rrëzimin e qeverisë.

banner

Në një reagim publik, Hollaj tha se shpifjet për kinse puç, skemë apo plan të organizuar nga Presidentja Vjosa Osmani për rrëzimin e qeverisë janë të pavërteta dhe të dëmshme për shtetin.

Sipas saj, pretendimet se një gjë e tillë është bërë në bashkëpunim me aktorë të ndryshëm politikë, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, ish-emisarin amerikan Richard Grenell, presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq apo me partitë opozitare në Kosovë, janë të pavërteta.

“Shpifjet që po qarkullojnë për kinse puç apo plan të organizuar nga Presidentja për rrëzimin e Qeverisë nuk janë vetëm të pavërteta, por edhe produkt i një mendësie e cila për interesa të momentit është e gatshme të dëmtojë edhe vetë shtetin”, ka deklaruar Hollaj.

Ajo theksoi se Presidentja Osmani nuk ka qenë dhe nuk do të bëhet pjesë e skenarëve të tillë, duke shtuar se për të politika është përgjegjësi ndaj Republikës, Kushtetutës dhe qytetarëve.

Hollaj shtoi gjithashtu se, sipas saj, presidentja nuk mbështetet në makineri propagandistike për të imponuar qëndrimet e saj, por në atë që e cilësoi si të vërtetën.

Në fund, ajo tha se koha do të ndajë faktet nga propaganda dhe se qytetarët do ta kuptojnë se çfarë qëndron pas debateve politike të ditëve të fundit.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.