
Ish-ministri i jashtëm thekson rolin e SHBA në zgjerimin e NATO-s dhe paralajmëron për sfidat e sigurisë në Evropë.
Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se zgjedhja e presidentit të ri në Shtetet e Bashkuara duhet parë si një mundësi strategjike për vendin. Ai përmendi se presidenti i ri ka një trashëgimi konkrete në Ballkan, duke e anëtarësuar Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi në NATO gjatë mandatit të tij të parë.
“Ne e kemi një president në SHBA, i cili duhet të shihet në Kosovë si mundësi, sepse ka pasur një rol të rëndësishëm në zgjerimin e NATO-s dhe ka një Senat dhe një Kongres skajshmërisht pro zgjerimit të NATO-s,” deklaroi Hoxhaj.
Ai paralajmëroi se dinamika e sigurisë në Evropë po përshpejtohet dhe se zhvillimet në Ukrainë mbeten të paparashikueshme. Hoxhaj theksoi se Rusia po rrit fuqinë ushtarake çdo muaj dhe se lufta në Ukrainë mund të përfundojë në vitin 2025, 2030, ose mund të çojë në një konflikt më të gjerë.
“Unë kam paralajmëruar një vit përpara fillimit të luftës në Ukrainë dhe frika ime është se situata ndërkombëtare mund të komplikohet, duke ndikuar edhe në Kosovë. Beteja jonë e brendshme do të vazhdojë edhe në 2025 dhe 2026,” tha Hoxhaj.
Ai shtoi se vendet evropiane tashmë po përgatiten për mbrojtje, duke e bërë të nevojshme që Kosova të ketë qartësi politike dhe strategjike. “Kush udhëheq qeverinë, çfarë platforme zgjedhore kemi, dhe si mendojmë për vitin 2025, do të varet nga klasa jonë politike e përgjegjshme që di t’i dalë zot vendit në 2026,” përfundoi ai.



