
Deputetja e LDK-së u bën thirrje qytetarëve të votojnë për vazhdimësinë e qeverisjes së Përparim Ramës në kryeqytet.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se Prishtina duhet të vazhdojë me drejtimin aktual dhe nuk duhet të lejojë kthim prapa në zhvillim.
Në një postim në “Facebook”, ajo ka theksuar se përçarësit dhe bllokuesit nuk e kanë vendin në krye të shtetit apo të kryeqytetit. “Prishtina nuk kthehet mbrapa! Përçarësit, sabotuesit dhe bllokuesit nuk e kanë vendin në krye të shtetit, as të kryeqytetit. Prishtina e ka kryetarin, Përparim Ramën! Projektet e përfunduara, ato që janë në zhvillim dhe ato që pritet të realizohen, kanë nevojë për mirëmbajtje dhe vazhdimësi. Të dielën, votojeni që puna e mirë të vazhdojë,” ka shkruar Bajrami.
Ajo ka theksuar se për të ruajtur ritmin e zhvillimit dhe stabilitetin e kryeqytetit, është e domosdoshme të mbështetet qeverisja aktuale e LDK-së.



