
Deputetja e LDK-së akuzon Qeverinë se po toleron situatën dhe po përfiton nga taksat më të larta për çdo litër karburanti.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj rritjes së çmimeve të naftës në Kosovë, duke e cilësuar situatën si absurde dhe abuzive ndaj qytetarëve.
Sipas Bajramit, menjëherë pasi u raportua për mbylljen e ngushticës së Hormuzit, çmimet e derivateve në Kosovë u rritën, ndërsa pas qetësimit të situatës dhe rënies së çmimeve në bursë, ato nuk janë ulur në tregun vendor.
“Në momentin që u raportua për mbylljen e ngushticës së Hormuzit, çmimet në Kosovë u rritën menjëherë, por kur situata u qetësua dhe çmimet ranë në bursë, tek ne mbetën të njëjtat. Për t’u rritur çmimi mjafton një lajm, por për t’u ulur duhet kohë. Kjo nuk është logjikë tregu, ky është abuzim ndaj qytetarëve”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka akuzuar Qeverinë se po e toleron këtë situatë dhe se në vend që të mbrojë qytetarët, po përfiton nga kriza përmes rritjes së të hyrave nga taksat.
Ajo tha se sipas llogaritjeve, për çdo litër naftë buxheti i shtetit po merr rreth 13 deri në 15 cent më shumë taksa krahasuar me periudhën para krizës.
Sipas Bajramit, problemi nuk qëndron vetëm tek marzha apo çmimet tavan, por te mungesa e vullnetit për të ulur TVSH-në dhe akcizën, të cilat sipas saj janë dy komponentët kryesorë të çmimit të naftës.
Deputetja e LDK-së shtoi se institucionet kanë në dispozicion të dhëna për stokun dhe çmimin e importit të derivateve përmes Doganës, por këto të dhëna, sipas saj, nuk po përdoren për të marrë vendime të bazuara në analiza.
Ajo propozon disa masa për stabilizimin e situatës, duke përfshirë raportimin ditor për stokun dhe çmimin e importit, reflektimin real të çmimeve në kohë si dhe uljen e TVSH-së dhe akcizës.
“Nafta është burim inflacioni. Nëse nuk stabilizohet çmimi i saj menjëherë, çdo ndihmë pas inflacionit vetëm sa e ushqen atë”, ka theksuar Bajrami, duke shtuar se problemi kryesor mbetet mungesa e vullnetit për të reaguar.



