Igli Tare ndihmon kthimin e trupit të Shpat Kasapit në Maqedoninë e Veriut brenda pak ditësh

Familja e këngëtarit të ndjerë falënderon ish-futbollistin për ndërhyrjen vendimtare që përshpejtoi procedurat në Itali.

Familja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi ka bërë të ditur se Igli Tare, drejtori sportiv i Milanit, ka qenë personi kyç që mundësoi kthimin e shpejtë të trupit të artistit në Maqedoninë e Veriut. Sipas familjarëve, Tare ndërhyri personalisht për të përshpejtuar procedurat e ndërlikuara ligjore që zbatohen në raste të tilla në Itali.

banner

Shpati ndërroi jetë në Bergamo natën e mbërritjes së tij në Itali, ndërsa më pas trupi u transferua në një spital në Milano për analiza, obduksion dhe verifikime të tjera zyrtare që zakonisht kërkojnë shumë kohë. Në rrethana normale, kthimi i trupit do të zgjaste dukshëm më gjatë, por falë ndërhyrjes së Tares, procesi u finalizua brenda vetëm katër ditëve, duke i mundësuar familjes që ta varrosë të ndjerin në Tetovë të dielën e 30 nëntorit.

Vëllai i Shpatit, Albin Kasapi, u shpreh me mirënjohje përmes një deklarate për Sportmania:

“Këto janë ditë dhimbjeje të madhe për familjen tonë. Falënderojmë të gjithë ata që kanë qenë pranë nesh në këtë humbje të rëndë. Dua të shpreh falënderim publik për Igli Taren, bashkëkombësin tonë që bëri të pamundurën dhe ishte faktor kyç që trupi i Shpatit u kthye në kohë rekord në vendin tonë. Na është gjendur jashtëzakonisht shumë dhe e vlerësojmë pa masë këtë mbështetje.”

Familja theksoi se ndihma e Tares ishte vendimtare në ditët e vështira pas humbjes, duke lehtësuar një pjesë të barrës emocionale dhe procedurale.

Shpat Kasapi ndërroi jetë mbrëmjen e së martës, më 25 nëntor, pas një arresti kardiak në Bergamo të Italisë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.