
Ish-deputeti kritikon mungesën e bashkëpunimit ndërpartiak dhe rolin pasiv të Presidentes, duke theksuar se prioritet duhet të jenë zgjidhjet, jo fajësimi.
Ish-deputeti Ilir Deda ka vlerësuar se ambienti politik në vend po duket “si një çerdhe”, ku pas çdo veprimi akuzohet dikush tjetër: “ky ka faj, unë s’kam faj”. Ai tha se tani duket më e rëndësishme të përcaktohet se kush ka faj sesa të gjenden zgjidhje për vendin dhe qytetarët.
Sipas tij, në çdo vend tjetër normal, çështjet e marrëveshjeve ndërkombëtare do të zgjidheshin në biseda ndërmjet partive politike, ndërkohë që do të sigurohej financimi deri në propozim të buxhetit nga një qeveri legjitime. “Pa imponim dhe duke u ndëgju mes vete, interesi primar — funksionimi i shtetit — do të arrihej,” tha Deda.
Ai kritikoi partitë që refuzojnë të kontribuojnë në zgjidhje, duke shtuar se qytetarët do t’i konsideronin të papërgjegjshme dhe do të paguanin çmim në zgjedhje.
Deda theksoi gjithashtu mungesën e rolit aktiv të Presidentes: “Nuk pamë së paku takime të përditshme me partitë, përveç veprimeve që duket se synojnë më shumë rirreshtim për zgjedhje në pranverë sesa përgjegjësi elementare kushtetuese.”
Ai paralajmëroi se kjo krijon kriza të reja me shumë zhurmë dhe pa sens racional, ndërsa në fund qytetarët paguajnë çmim. “Gishtin e fajit mund t’ja drejtojnë vetëm vetes, nëse nuk merret mësim nga e gjithë viti 2025,” përfundoi Deda.



