Ish-diplomati amerikan O’Brien: Súlmi në Banjskë ndryshoi gjithçka në Kosovë

James O’Brien rikthen kujtimet dhe sfidat e Ballkanit: nga Rambuje tek ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, dhe roli i integrimit europian në stabilizimin e rajonit.

James O’Brien, një nga diplomatët më me ndikim amerikanë gjatë viteve ’90, ishte i angazhuar drejtpërdrejt në përpjekjet për t’i dhënë fund konflikteve në Bosnjë e Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë. Si pjesë e ekipit të Sekretares së atëhershme të Shtetit, Madeleine Albright, ai luajti rol kyç në marrëveshjet që i hapën rrugë paqes në rajon.

banner

Në vitin 1994, O’Brien kontribuoi në ndërprerjen e armiqësive midis boshnjakëve dhe kroatëve, marrëveshje që u shndërrua në preludin e Dejtonit një vit më vonë. Përpjekja e tij në Rambuje në vitin 1999 – tentativa e fundit ndërkombëtare për zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë – pati më pak sukses.

Dhjetë ditë para fillimit të mandatit të tij të fundit diplomatik, në shtator 2023, situata në veri të Kosovës u përshkallëzua rëndë pas vrasjes së një polici kosovar nga një grup serbësh të armatosur, ngjarje që kulmoi me konfrontimin e dhunshëm në manastirin e Banjskës. BBC në gjuhën serbe shkruan se sulmi ndryshoi rrënjësisht dinamikat në veri, transmeton Gazeta Express.

Dy vjet më pas, O’Brien thotë se këto ngjarje tregojnë si rrezikshmërinë, ashtu edhe potencialin e rajonit: “Ka hapësirë për veprime pozitive nga njerëz të rinj,” u shpreh ai. Por diplomati shton se proceset në Ballkan shpesh ecin më ngadalë, kryesisht për shkak të mungesës së një qasjeje të bashkërenduar në Perëndim.

“Problemi në Ballkan është se secila palë gjithmonë ka mbrojtësin e saj – një ose dy në Europë. SHBA ndonjëherë ndryshon anë,” thotë O’Brien. Sipas tij, kësaj radhe u takon vendeve europiane të mbajnë një qëndrim të qartë dhe të bashkuar.

O’Brien, i cili pas ardhjes në pushtet të Donald Trump u distancua nga politika zyrtare dhe madje e kritikoi hapur atë, e sheh integrimin europian si shtysën kryesore të reformave në Ballkan. “Është shumë mirë që Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin drejt anëtarësimit në BE. Për të tjerët, përfshirë Bosnjën, kjo është një nxitje për të ecur përpara.”

Ai shton se procesi mund të shërbejë si shembull edhe për Beogradin: “Shpresoj që kjo të inkurajojë Serbinë të ndërtojë një koalicion të brendshëm për reformat e nevojshme.”

Sipas O’Brien, ndryshimet në Ballkan janë të mundshme, por kërkojnë durim, reformë dhe një Perëndim më të bashkuar.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.