Ish-kryeministrja e Zelandës së Re emigron në Australi për një jetë më të mirë

Zelanda e Re po përballet me nivele rekord të emigrimit, me mbi 66 mijë qytetarë që u larguan vetëm vitin e kaluar, rreth 180 persona në ditë, në një vend me popullsi prej 5,3 milionë banorësh. Një pjesë e madhe e tyre po zhvendosen në Australi, në kërkim të mundësive më të mira ekonomike dhe profesionale.

Në mesin e atyre që janë larguar është edhe ish-kryeministrja Jacinda Ardern, e cila së fundmi është zhvendosur me familjen në Sidnei. Lëvizja e saj ka rikthyer vëmendjen mbi sfidën e vendit për të mbajtur talentet dhe profesionistët e rinj, në një kohë kur ekonomia po përballet me vështirësi, krizë të kostos së jetesës dhe mungesë banesash, përcjell A2 CNN.

banner

Ekspertët thonë se emigrimi drejt Australisë është një trend afatgjatë, i nxitur nga të drejtat e barabarta të punës që Zelanda e Re dhe Australia u ofrojnë qytetarëve të njëra-tjetrës prej dekadash. Megjithatë, vitet e fundit fenomeni është intensifikuar. Papunësia është rritur në nivele që nuk janë parë prej një dekade, ndërsa rritja e pagave nuk ka mbajtur ritmin me inflacionin. Çmimet e ushqimeve janë ndër më të lartat në botën e zhvilluar dhe tregu i banesave po përballet me mungesë të theksuar ofertash, duke rritur qiratë dhe çmimet e shtëpive.

Shumë të rinj po e shohin largimin jo më si përvojë të përkohshme jashtë vendit, por si zhvendosje afatgjatë. Edhe pse një pjesë e emigrantëve kthehen dhe sjellin përvojë e lidhje të reja, ligjvënësit shprehin shqetësim për “rrjedhjen e trurit” dhe ndarjen e familjeve.

Qeveria aktuale pranon se vendi përballet me gjendje ekonomike dhe sociale të vështirë, ndërsa partitë politike ofrojnë zgjidhje të ndryshme përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Ndërkohë, zyra e Ardern ka sqaruar se familja e saj ka udhëtuar për disa vite dhe tani është vendosur përkohësisht në Australi për arsye pune, duke theksuar se kjo u mundëson gjithashtu më shumë kohë për t’u kthyer në atdhe. 

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.