Ish-ushtarit të UÇK-së i caktohen 30 ditë paraburgim në Beograd

Avokati Xhevdet Smakiqi kritikon Qeverinë e Kosovës për mungesë presioni diplomatik dhe thotë se Qenaj po mbahet pa asnjë provë.

Avokati i Avni Qenajt, Xhevdet Smakiqi, ka njoftuar se Gjykata në Beograd i ka caktuar 30 ditë paraburgim ish-pjesëtarit të UÇK-së, duke theksuar se ndaj tij nuk ekziston asnjë provë. Përmes një reagimi në Facebook, Smakiqi ka kritikuar ashpër Qeverinë në detyrë të Kosovës për, siç tha ai, mungesë të presionit diplomatik efektiv ndaj Serbisë.

banner

“Privimi i kundërligjshëm nga liria i ish-pjesëtarit të UÇK-së Avni Qenaj! Në mungesë të një Qeverie serioze të Kosovës vazhdojnë kidnapimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, sepse Qeveria duke u sjellë në mënyrën më joserioze që 5 vjet në negociatat në Bruksel, Serbia lehtësisht shkel marrëveshjet e Brukselit ku garantohet liria e lëvizjes dhe kapitalit”, ka shkruar Smakiqi, duke theksuar se këto të drejta nuk po zbatohen për ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Sipas tij, Gjykata në Beograd të martën i caktoi Qenajt 30 ditë paraburgim në vend se ta lironte, gjë që do të ndodhte “nën presionin diplomatik efektiv të një Qeverie normale e serioze, që aktualisht na mungon”.

Në fund të reagimit, Smakiqi u shpreh optimist se pafajësia e Qenajt do të dëshmohet. Ai shtoi se familja e tij po e kalon këtë periudhë të festave kombëtare në ankth dhe pa përkrahjen e shtetit për të cilin Qenaj ka luftuar.

“Pafajësia e Avni Qenajt do të triumfojë, por çfarë kuptimi ka ekzistenca e shtetit dhe Qeverisë së Kosovës kur dështon në secilën fushë”, përfundoi ai.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.