Java kur Evropa e kuptoi se qëndron e vetme kundër ekspansionizmit rus

Plani i Washingtonit për paqe në Ukrainë, që i shkon në favor Putinit, ka dështuar, por shumë njerëz dëgjuan një sinjal vdekjeprurës për mbështetjen evropiane nga SHBA-ja

Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, u kërkoi zyrtarëve të saj këtë javë të gjenin sa herë Rusia, në forma të ndryshme, kishte pushtuar shtete të tjera në shekujt 20 dhe 21. Përgjigja që erdhi ishte 19 shtete, në 33 raste. Kallas, ish-kryeministrja estoneze, nuk po merrej vetëm me histori. Ajo po kërkonte të theksonte një pikë që qëndron në zemër të mosmarrëveshjes midis SHBA-së dhe Evropës mbi të ardhmen e Ukrainës, një mosmarrëveshje që ka zbuluar përsëri hendekun përtej Atlantikut rreth natyrës së vërtetë të regjimit rus.

Kallas lexon librat e historisë si aktivitet të kohës së lirë dhe ka thënë se prej kohësh Bashkimi Sovjetik ra, por imperializmi i tij nuk ra kurrë.

banner

“Rusia nuk ka pasur kurrë nevojë të përballet me të kaluarën e saj brutale ose të mbajë pasojat e veprimeve të saj”, ka thënë ajo, duke argumentuar se natyra e regjimit rus do të thotë se “agresioni shpërblyes do të sjellë më shumë luftë, jo më pak”: Putini do të kthehet për më shumë.

Një paralajmërim i ngjashëm u bë këtë javë nga ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, i cili ka thënë: “Shërbimet tona të inteligjencës po na thonë urgjentisht: Rusia po krijon mundësinë e një lufte kundër NATO-s, deri në vitin 2029, më së voni”.

Putin po rekruton pothuajse një divizion të ri në muaj, tha Wadephul, duke shtuar: “Divizione që padyshim na synojnë edhe neve, BE-në, NATO-n.”

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka përshkruar Rusinë “si fuqi të vazhdueshme destabilizuese, që përpiqet të rishikojë kufijtë për të zgjeruar pushtetin e tij”. Putini, tha ai, është “një grabitqar, një përbindësh në portat tona që vazhdimisht ka nevojë të hajë për mbijetesën e tij”. Shkurt, sipas tij, “ai është një kërcënim për evropianët”.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, u tha deputetëve: “Ne e dimë se pa atë frenim, (Putini) ka ambicien të vazhdojë përsëri, dhe ai do të vazhdojë përsëri, dhe ne duhet të ruhemi nga kjo”.

E gjithë kjo është diametralisht e kundërt me pikëpamjen e izolacionistëve amerikanë.

Trajtimi i mirë i Putinit

Steve Witkoff, hulumtues i pronave në New York që aktualisht përfaqëson SHBA-në në skenën botërore – por edhe që po ndihmon Rusinë se si të fitojë mbështetjen e Donald Trumpit, ka pranuar se di pak histori, duke i thënë gazetës “Atlantic” në maj se kishte parë disa dokumentarë të Netflix për t’u përmirësuar.

Por bazuar në katër vizitat e tij në Moskë, ai e trajton Rusinë kryesisht si çdo vend tjetër, dhe Vladimir Putinin si çdo udhëheqës tjetër botëror. Ai i tha Tucker Carlsonit se është i sigurt se Rusia nuk do të synonte të marrë territor të mëtejshëm në Evropë pasi Putinit t’i jepeshin katër rajone të Ukrainës.

“Unë nuk e konsideroj Putinin si një djalë të keq. Kjo është një situatë e ndërlikuar, ajo luftë dhe të gjithë përbërësit që çuan në të. E dini, nuk është kurrë vetëm një person, apo jo?” ka thënë ai.

Rusia dëshiron vërtet paqe, sipas tij. Trumpi kryesisht mban të njëjtën pikëpamje dashamirëse për Putinin. Zëvendëspresidenti i tij, JD Vance, ka përqeshur idenë se Putini kishte plane ekspansioniste. Putini nuk ishte Hitleri, shpjegoi ai.

Çuditërisht për Evropën, kjo do të thotë që pavarësisht se sa shpesh arrinte ta largonte lavjerrësin e Trumpit nga Rusia, lavjerrësi kthehet në një pozicion të natyrshëm të simpatisë për Putinin. Sa herë që Evropa ndien se është në prag të ndalojë bindjen e Trumpit se Rusia është agresoer që kërcënon sigurinë evropiane dhe, si rrjedhojë, sigurinë e SHBA-së, Trumpi i jep Putinit një shans tjetër, “dy javë të tjera”, një telefonatë tjetër. Besimi i vetëm i fiksuar i Trumpit është se Ukraina nuk mund ta fitojë luftën dhe duhet t’i ndalë humbjet e mëtejme.

Por deri në shfaqjen këtë muaj të një plani 28-pikësh SHBA-Rusi për t’i dhënë fund luftës – dhe përgjimin se Witkoffi i kishte trajnuar zyrtarët rusë se si ta fitonin mbështetjen e Trumpit – udhëheqësit evropianë kurrë nuk e kishin parë saktësisht se si zyrtarët amerikanë e parashikonin një rend të ri evropian në të cilin Rusia, në emër të realizmit, shpërblehet dhe nuk ndëshkohet për pushtimin e saj të paligjshëm të Ukrainës. Edhe një herë të befasuar nga Trumpi, udhëheqësit evropianë lexuan paragraf pas paragrafi propozimin e SHBA-së me një përzierje mosbesimi dhe paniku./Koha.net

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.