
Opinionisti ngre dyshime pas takimit Kurti–Hamza dhe paralajmëron për pasojat e mundshme politike
Opinionisti dhe filozofi Afrim Kasolli ka shprehur dyshime lidhur me synimin e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK) për të dalë me një kandidaturë të tyre për president të Kosovës, pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Sipas Kasollit, ekziston mundësia që përmes kësaj kandidature PDK-ja thjesht t’ia sigurojë kuorumin e nevojshëm Vetëvendosjes, duke legjitimuar në këtë mënyrë, siç e quan ai, “pushtetin absolut të Lëvizjes Vetëvendosje”.
“Dhe kështu për herë të parë në Kosovën e pasluftës, do ta ketë edhe Kryeministrin edhe Presidentin edhe Kryetarin e Kuvendit”, ka deklaruar ai.
Kasolli thekson se takimi i fundit ndërmjet Kurtit dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, përfundoi me dy interpretime të ndryshme. Hamza ka deklaruar se oferta e fundit e PDK-së është një emër i propozuar nga vetë partia e tij, ndërsa Kurti ka thënë se, në mungesë të një marrëveshjeje politike, do të kalohet në emra partiakë.
Sipas tij, mbetet e paqartë nëse PDK do ta propozojë zyrtarisht emrin dhe, në rast se ai nuk mbështetet nga partitë e tjera — veçanërisht nga ajo në pushtet — do ta braktisë seancën për të mos u bërë pjesë e kuorumit, apo do të qëndrojë në sallë dhe, nëse siguron 30 nënshkrime, do të marrë pjesë në procesin e votimit.
Kasolli paralajmëron se, nëse ndodh skenari i dytë, atëherë praktikisht do të legjitimohej pushteti i plotë i Vetëvendosjes, pasi ajo, me sigurimin e kuorumit nga partitë e tjera, në raundin e tretë do ta kishte më të lehtë ta siguronte edhe postin e presidentit.



