
Këshilltari i Albin Kurti thotë se Osmani është zgjedhur kryeparlamentare dhe presidente falë votave të Vetëvendosjes.
Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka reaguar me kritika ndaj presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se ajo nuk ka mbajtur asnjë pozitë të lartë shtetërore pa votat e Lëvizja Vetëvendosje.
Përmes një postimi të gjatë, Zulfaj ka theksuar se Osmani është zgjedhur si kryeparlamentare dhe më pas si presidente me mbështetjen e Vetëvendosjes, duke shtuar se asnjë figurë e kësaj partie nuk i ka mbajtur të dy këto poste njëkohësisht.
Sipas tij, dy nga tri pozitat më të larta në shtet – ajo e kryeparlamentarit dhe presidentit – Osmani i ka marrë me ndihmën e Vetëvendosjes, ndonëse nuk është anëtare e kësaj partie.
Zulfaj kujtoi gjithashtu se Vjosa Osmani është ngritur politikisht përmes Lidhjës Demokratike të Kosovës, por gjatë kohës sa ishte pjesë e kësaj partie nuk arriti të marrë ndonjë post të lartë shtetëror pa votat e Vetëvendosjes.
Ai përmendi edhe zgjedhjet e vitit 2019, kur sipas tij LDK e vendosi Osmanin si kandidate për kryeministre, ndërsa negociatat për koalicionin qeveritar u udhëhoqën nga Isa Mustafa dhe Agim Veliu.
Zulfaj shtoi se Osmani u zgjodh kryeparlamentare në vitin 2020 si rezultat i koalicionit mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2021, koalicioni mes Vetëvendosjes dhe Listës Guxo, të udhëhequr nga Osmani, fitoi një rezultat rekord, pas së cilës ajo u zgjodh presidente me votat e Vetëvendosjes.
Ai përmendi gjithashtu se në zgjedhjet e dhjetorit 2025, sipas tij, i njëjti koalicion fitoi edhe më shumë vota edhe pa pjesëmarrjen e Osmanit, duke shtuar se Albin Kurti dhe Glauk Konjufca dolën dy deputetët më të votuar.



