
Stërvitjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën, në territorin e Bujanocit, kanë ngrehur shqetësime të mërkurën në mesin e shqiptarëve si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Fillimisht kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, Enkel Rexhepi, i quajti të papranueshme ato stërvitje derisa kryetari i Gjilanit tha se janë provokuese.
Por, KFOR-i ka deklaruar se ka qenë i njoftuar për stërvitjet e ushtrisë serbe, e ato i ka quajtur aktivitet rutinë. Sipas KFOR-it, ky aktivitet nuk ka paraqitur kërcënim e as rrezik për sigurinë.
“Mund të konfirmojmë se KFOR-i u informua se Forcat e Armatosura Serbe do të kryenin një aktivitet të planifikuar trajnimi që përfshinte parashutistë të vendosur nga një helikopter në fshatin Muhovc, Serbi. Ky është një aktivitet rutinë i kryer brenda territorit serb dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë ose stabilitetin në rajon”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për KOHËN.
Ndërkohë, KFOR-i ka ritheksuar se vazhdon të monitorojë nga afër situatën në të gjithë vendin dhe se mban komunikim si me autoritetet brenda Kosovës, ashtu edhe me shefin e Shtabit të Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten i ka quajtur tepër shqetësuese stërvitjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën. Ai ka thënë se Serbia po përdor ushtrinë si mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit në tension të vazhdueshëm, teksa i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndëshkojë këtë qasje destabilizuese të Serbisë.
Ai ka thënë se një shfaqje e tillë e ushtrisë serbe paraqet jo vetëm trysni dhe nxitje tensioni por edhe përpjekje për t’i frikësuar banorët shqiptarë “që ka vite që përballet me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat në Serbi”



