
Gjeneralmajor Ozkan Ulutash diskuton situatën e sigurisë dhe përpjekjet e KFOR-it për stabilitetin rajonal.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, është takuar më 24 nëntor 2025 me një delegacion të Kongresit amerikan, të udhëhequr nga përfaqësuesi Michael Turner. Turner u shoqërua nga e ngarkuara me punë e Ambasadës amerikane, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit të KFOR-it, Ulutash dha një përditësim mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe në gjithë rajonin, si dhe mbi përpjekjet e vazhdueshme të trupave për të mbështetur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm.
Ai nënvizoi angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të kontribuar në sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe përshëndeti kontributet e gjata dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përpjekjet e KFOR-it dhe në stabilitetin rajonal.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe lirinë e lëvizjes në mënyrë të paanshme. Trupat e KFOR-it punojnë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Europian në Kosovë (EULEX) për të mbështetur rolet e tyre si reagues të sigurisë.



