
Koalicioni kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet komunale dhe hetim të autoriteteve përgjegjëse.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me raportimet se një fëmijë i ciklit fillor në Komunën e Graçanicës po i mohohet e drejta për të ndjekur shkollën. Sipas nënës së fëmijës, kjo ndodh me arsyetimin se familja është sistemuar së fundmi në një shtëpi të re të ndërtuar nga Qeveria e Kosovës.
KOMF thekson se, nëse ky informacion vërtetohet, situata përbën shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijës, duke shkelur Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Arsimin Parauniversitar, Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës dhe Ligjin kundër Diskriminimit, të cilat garantojnë arsim pa diskriminim për të gjithë fëmijët.
Koalicioni ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve komunale për të siguruar vijimin e shkollës, angazhim të mekanizmave të mbrojtjes së fëmijës dhe hetim nga institucionet e drejtësisë për të mbajtur përgjegjëse çdo person që ka shkelur të drejtën e fëmijës për arsim.
KOMF ka theksuar se fëmijët nuk mund të përdoren si mjet presioni dhe organizatat anëtare të tij janë gati të ofrojnë mbështetje të plotë për fëmijën dhe familjen. Koalicioni do të monitorojë vazhdimisht ecurinë e rastit deri në garantimin e plotë të së drejtës për arsim.



