
Komisioni po shqyrton fletëvotimet me numra serik të ndryshëm, për të cilat ka pretendime për manipulim. Raporti pritet të dorëzohet deri më 14 nëntor.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka filluar punën Komisioni i themeluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për vlerësimin e fletëvotimeve të përdorura në balotazhin për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës.
Sipas njoftimit të KQZ-së, ky komision po analizon fletëvotimet që kanë pasur numra serikë të ndryshëm, për të cilat janë paraqitur pretendime për manipulim gjatë procesit zgjedhor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi për RTV21 se komisioni ka filluar punën dhe se raporti përfundimtar do të dorëzohet jo më vonë se më 14 nëntor.
“Mund t’iu konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar punën Komisioni i themeluar nga KQZ për vlerësimin e fletëvotimeve për zgjedhjet e raundit të dytë për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës. Planifikohet që ky Komision të përgatisë një raport dhe ta dorëzojë jo më vonë se më 14 nëntor,” deklaroi Elezi.
Ai shtoi se për komunat e tjera, vlerësimi i fletëvotimeve do të bëhet sipas mostrës së caktuar, ndërsa raporti pritet të finalizohet deri në fund të javës.
Sipas Elezit, puna e komisionit është gjithashtu në funksion të përgatitjes së përgjigjes për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ka pranuar një ankesë lidhur me procesin në Mitrovicën e Jugut. Ky proces pritet të ndihmojë në sqarimin e situatës së krijuar pas zgjedhjeve.
Ndërkohë, KQZ-ja pret që rezultatet përfundimtare të balotazhit të shpallen gjatë javës së ardhshme.



