
Përfaqësuesi i kompanisë thotë se situata është nën kontroll, ndërsa Prokuroria dhe PDK-ja kërkojnë sqarime për fletëvotimet me numra serik të ndryshëm.
Pas shqetësimeve për procesin e numërimit të votave në Mitrovicë dhe dyshimeve për parregullsi me fletëvotimet, kompania sllovene “Cetis”, përgjegjëse për shtypjen e materialit zgjedhor, ka reaguar duke garantuar se gjithçka është nën kontroll.
Në një deklaratë për Reporteri.net, përfaqësuesi i kompanisë, Damijan Demir, tha: “Mund të garantoj se gjithçka është nën kontroll dhe po kujdesemi për çdo gjë. Së shpejti do të lëshohet një komunikatë për media, ku do t’i gjeni të gjitha detajet. Por mund të garantojmë 100% se zgjedhjet janë të rregullta.”
Kujtojmë se Prokuroria Themelore në Mitrovicë urdhëroi ndërprerjen e përkohshme të numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit, për shkak të pretendimeve për manipulim me fletëvotime, përfshirë ato me numra serikë të ndryshëm. Partia Demokratike e Kosovës njoftoi gjithashtu se do të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me dyshimet për keqpërdorim të fletëvotimeve në Mitrovicën e Jugut.
Situata pritet të sqarohet pas publikimit të komunikatës zyrtare të kompanisë “Cetis”, e cila është planifikuar për mesditën e së martës.



