
Ai thotë se opozita mund të propozojë edhe Vjosa Osmanin, por sipas tij synimi i saj është të shkohet në zgjedhje.
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, është deklaruar për herë të parë pasi Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar për postin e Presidentit të Kosovës.
Duke folur para mediave, Konjufca u shpreh se ka shumë persona më të përgatitur se ai për këtë detyrë, por theksoi se opozita nuk po propozon asnjë kandidat për këtë post.
“Ka shumë njerëz më të mirë se unë, më të përgatitur se unë. Le ta propozojë opozita, po pra edhe Vjosa Osmani ose këdo që dëshirojnë, edhe unë vetë do të votoj. Por ata nuk po duan të propozojnë”, deklaroi ai.
Sipas Konjufcës, mungesa e një propozimi nga opozita tregon se synimi i saj është që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. “Nëse opozita nuk e thotë asnjë emër, atëherë kjo është përcaktim i qartë për të shkuar në zgjedhje, nga ana e opozitës, jo nga ana jonë”, theksoi ai.



