
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se kompania CETIS merr përgjegjësi dhe mbetet në dispozicion për sqarime.
Prishtinë, 11 nëntor 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka pranuar sqarim zyrtar nga kompania CETIS lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.
Hetimi i kompanisë ka treguar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit. Sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes.
CETIS ka marrë plotësisht përgjegjësinë për gabimin teknik, duke theksuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje për incidentin dhe mbetet në dispozicion të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve.
KQZ njofton se Prokuroria e Shtetit është informuar për këtë rast dhe se në njoftim janë bashkëngjitur përgjigjet zyrtare të kompanisë në gjuhën angleze dhe shqipe.



