KQZ-ja përfundon numërimin e votave, shpallja e rezultateve përfundimtare mund të bëhet para 19 janarit

Katër ankesa në PZAP mund të ndikojnë në shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përfundoi të premten numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se komisioni është i gatshëm të shpallë rezultatet përfundimtare, por se katër ankesa të dorëzuara në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) po shqyrtohen aktualisht.

banner

Varësisht nga natyra e ankesës, PZAP ka afate prej 48, 72 ose 96 orësh për të marrë vendim. Nëse një ankesë gjendet e bazuar, PZAP mund të detyrojë KQZ-në të veprojë sipas kërkesës së palës ankuese. Në rast se ankesa refuzohet, pala mund të apelojë vendimin në Gjykatën Supreme.

Valmir Elezi tha se rezultatet përfundimtare, të planifikuara fillimisht të shpallen më së largu deri më 19 janar, mund të shpallen edhe më herët. Pas certifikimit të rezultateve, Kuvendi do të konstituohet brenda 30 ditëve, sipas Kushtetutës. Presidentja do të thërrasë seancën e parë, ndërsa kandidati për Kryeministër do të propozohet nga partia ose koalicioni që ka shumicën në Kuvend dhe duhet të paraqesë përbërjen e Qeverisë jo më vonë se 15 ditë pas mandatimit.

Sipas rezultateve preliminare:

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.11% të votave dhe 57 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 20.19% të votave – 22 deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.23% të votave – 15 deputetë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë 6 ulëse pas fitimit të 5.50% të votave.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.