
Deri tani janë certifikuar 23 subjekte politike; Lista Serbe mbetet jashtë certifikimit dhe ka apeluar në PZAP.
Të dielën në mesnatë përfundon afati dyjavor për subjektet politike që të dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), listë me të cilën do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Deri tani, KQZ ka certifikuar 23 subjekte politike, prej të cilave 17 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Jashtë procesit të certifikimit ka mbetur Lista Serbe, e cila ka ushtruar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për KosovaPress se pas dorëzimit të listave, KQZ do të nisë verifikimin e kandidatëve për të vlerësuar nëse ata plotësojnë kriteret ligjore për certifikim.
“Deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike duhet të dorëzojnë listën e kandidatëve përmes platformës. KQZ do të dërgojë në disa institucione kërkesat e veçanta për verifikimin e kandidatëve, për t’u siguruar se janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme,” tha Elezi.
Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet nëse bie në kategoritë e ndaluara nga ligji, ndër të cilat përfshihen:
mbajtja e funksioneve të larta publike, pozitat diplomatike, anëtarësia në organet zgjedhore, dhe shkeljet e vendimeve të PZAP-it dhe KQZ-së.
Një nga kufizimet më të rëndësishme ligjore është ai që ndalon kandidimin e çdo personi që ka një dënim të formës së prerë, brenda tre viteve të fundit, për një vepër penale me së paku një vit burgim efektiv.
Pas përfundimit të afatit për dorëzimin e listave, KQZ pritet të vazhdojë me fazat e radhës të procesit zgjedhor drejt certifikimit final të kandidatëve.



