
Gabimi në kodin e vendvotimit nuk ndikon në integritetin e procesit zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura lidhur me procesin e verifikimit të rezultateve në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut.
Bazuar në informacionet nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut, është konstatuar një gabim në shtypjen e kodit të vendvotimit në disa fletëvotime. Kompania përgjegjëse për shtypjen ka pranuar mundësinë e gabimit dhe do të përgatisë një sqarim zyrtar në ditët në vijim.
KQZ thekson se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve është saktësisht evidentuar dhe çdo fletëvotim ka numra serikë që përputhen me të dhënat e verifikuara. Ky gabim teknik nuk ndikon në integritetin e procesit të votimit apo të numërimit, pasi fletëvotimet përmbajnë elemente sigurie që nuk lejojnë falsifikimin apo kopjimin.



