
Kryeministri kujton 9 prillin 1999 dhe nderon 114 dëshmorët e rënë në një nga betejat më të rëndësishme të luftës së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar fillimin e Betejës së Koshares, duke theksuar se ajo kishte për qëllim shembjen e kufirit që për dekada kishte ndarë shqiptarët mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas Kurtit, më 9 prill 1999, në orët e para të mëngjesit, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sulmuan pozicionet ushtarake serbe në brezin kufitar mes Shqipërisë dhe atëherë Jugosllavisë.
“Si sot, 27 vite më parë, filluan luftimet e Betejës së Koshares, me qëllim shembjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, që prej dekadash i ndante dhunshëm shqiptarët mes tyre”, ka deklaruar Kurti.
Ai kujtoi se luftimet nisën me sulmet ndaj bazës “7 korriku”, Rrasës së Koshares dhe majës Gllava. Beteja zgjati nga 9 prilli deri më 10 qershor 1999, duke përfshirë mijëra pjesëtarë të UÇK-së në një territor malor të shtrirë në disa kilometra.
Kurti theksoi se beteja nisi dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë dhe vazhdoi deri në përfundim të kësaj fushate ushtarake.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe UÇK-ja u bë aleate e NATO-s në përpjekjet për ndaljen e spastrimit etnik dhe gjenocidit që regjimi i Sllobodan Millosheviqit po kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Në luftimet e ashpra të kësaj beteje ranë 114 luftëtarë të UÇK-së, ndërsa mbi 400 të tjerë u plagosën. Kurti tha se pala serbe asnjëherë nuk i publikoi plotësisht humbjet e saj, por sipas të dhënave mbi 100 ushtarë jugosllavë mbetën të vrarë dhe shumë të tjerë u plagosën.
“Çdo pranverë i kujtojmë me mirënjohje dhe nderime të gjithë luftëtarët e UÇK-së që morën pjesë me guxim në Betejën e Koshares, duke dhënë djersë, mund dhe gjak për atdheun tonë dhe lirinë e popullit”, tha Kurti.
Ai përfundoi mesazhin e tij duke nderuar të rënët në këtë betejë.
“Lavdi u qoftë dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares, sot e përmot”, përfundoi kryeministri.



