
Kryeministri vlerëson kontributin e madh të ish-Kryetarit të Kuvendit dhe ish-Kryetarit të ASHAK-ut në politikën dhe akademinë kosovare.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur pikëllimin e tij për ndarjen nga jeta të ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci.
“Është pikëlluese të njoftohemi për ndarjen nga jeta të Nexhat Dacit, një figurë e shquar e jetës politike dhe akademike të Kosovës”, ka theksuar Kurti, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit.
Nexhat Daci ishte kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës pas çlirimit të vitit 1999, duke shërbyer dy herë si kryetar (2000–2004 dhe 2004–2006). Ai ishte një nga figurat kryesore të politikës së pasluftës, si deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe më pas themelues dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë. Si anëtar i Kryesisë së Kuvendit, Daci ishte gjithashtu njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
I lindur më 26 korrik 1944 në fshatin Tërnoc të Bujanocit, Daci studioi kimi në Universitetin e Beogradit dhe doktoroi në Universitetin e Zagrebit. Ai kreu studime postdoktorale në Universitetin e Bradfordit në Mbretërinë e Bashkuar dhe ligjëroi në Universitetin e Prishtinës që nga viti 1966, duke u bërë profesor ordinar më 1984.
Nga viti 1994 ishte anëtar korrespondent, ndërsa nga viti 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të cilën e drejtoi dy herë si kryetar (1999–2004 dhe 2018–2019). Ai ishte autor i shumë punimeve shkencore dhe veprave studimore në fushën e kimisë.
Kryeministri Kurti ka theksuar se Nexhat Daci do të mbetet një emër i rëndësishëm në historinë e shtetndërtimit të Kosovës, duke shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjen, kolegët dhe bashkëpunëtorët e të ndjerit.



