
Gazetari thotë se presidentja ka popullaritet të madh dhe se LDK nuk duhet të shkojë sërish në zyrën e Kurtit për të diskutuar për postin e presidentit.
Gazetari, Mirlind Behluli, në emisionin “Rubikon”, ka folur për raportin mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se dinamika politike mes tyre ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me periudhën e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Sipas Behlulit, në fillim të asaj periudhe politike në të ashtuquajturin “panteon të 14 shkurtit” ishin dy figura kryesore: Kurti dhe Osmani.
“Në panteonin e 14 shkurtit kanë qenë dy zotë, Kurti dhe Osmani, e tash në panteonin e Kurtit ai është i vetëm, që këqyr mos ta ndaj pushtetin as me Osmanin”, ka deklaruar Behluli.
Ai gjithashtu ka komentuar deklaratën e fundit të kryeministrit Kurti lidhur me çështjen e presidentit, duke thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk duhet të shkojë edhe njëherë në zyrat e tij për të diskutuar për këtë post.
Në analizën e tij, Behluli theksoi se për herë të parë Kurti përballet me një figurë të fuqishme politike.
“Unë mendoj që për herë të parë Kurti ka një përbindësh politik përballë, një zonjë e cila nuk përton të dalë në terren. Nëse e sheh kur ka dalë për herë të fundit Bedri Hamza në terren ose secili anëtar tjetër i PDK-së dhe LDK-së”, është shprehur ai.
Sipas tij, Osmani gëzon popullaritet të madh në opinionin publik, ndërsa një pjesë e elektoratit rugovist, sipas Behlulit, ka kaluar drejt Lëvizjes Vetëvendosje pikërisht për shkak të saj.



