
Kryeministri në detyrë i Kosovës deklaron se nuk ndërhyn në vendimet e institucioneve të pavarura, ndërsa DnV shpreh shqetësim për devijimet e KQZ-së nga praktikat e mëparshme.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur sot lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet e ardhshme, si dhe për reagimet që pasuan këtë vendim, përfshirë deklaratën e Ambasadës Amerikane dhe reagimet e organizatave të shoqërisë civile.
Ambasada Amerikane kishte kritikuar vendimin, duke thënë se “përpjekjet e LVV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe janë dritëshkurtra dhe përçarëse”. Kurti, megjithatë, nuk dha ndonjë koment të drejtpërdrejtë, duke theksuar se këto janë çështje që i takojnë vetë institucioneve përkatëse.
“Ajo është çështje e Ambasadës Amerikane, është çështje e KQZ-së, unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës”, tha Kurti, gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit të stadiumit të ri në Podujevë.
Ndërkohë, Demokracia në Veprim (DnV) reagoi duke shprehur shqetësim për moscertifikimin e Listës Serbe, duke theksuar se ky nuk është rasti i parë kur KQZ devijon nga praktikat e deritanishme, si dhe nga vendimet e PZAP-it dhe Gjykatës Supreme. Sipas tyre, vendimet e fundit rrezikojnë të cenojnë standardet e deritanishme zgjedhore dhe besimin e publikut në proces.



