
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka takuar një delegacio dypartiak të ShBA-së në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.
Në takimin me senatorët, Kurti ka përmendur nevojën e dorëzimit të Milan Radoiçiqit, i akuzuar për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023.
Tutje, Kurti vlerësoi se Marrëveshja Bazë duhet të nënshkruhet nga Serbia.
“Ishte kënaqësi të takohesha me një delegacion dypartiak amerikan, i përbërë nga senatorët Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Ruben Gallego. Diskutuam për progresin e Kosovës, i cili është i dukshëm si në aspektin demokratik ashtu edhe në atë ekonomik. Folëm gjithashtu për përkushtimin e qartë të Kosovës për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe shprehëm mirënjohjen tonë ndaj Shteteve të Bashkuara, një aleat i pazëvendësueshëm. Theksova se, sa i përket marrëdhënieve me Serbinë, Milan Radoiçiq duhet të dorëzohet për t’u përballur me drejtësinë, Marrëveshja Bazë duhet të nënshkruhet dhe letra nga Bërnabiq, e cila në formë të shkruar mohon integritetin territorial të vendit tonë, duhet të tërhiqet. Këta hapa do të siguronin llogaridhënie dhe qëndrueshmëri në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, tha ai.




