
Kreu i LDK-së mobilizon strukturat partiake, duke theksuar se Kosova ka nevojë për normalitet, stabilitet dhe shpresë.
Sonte, në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku zhvilloi një takim pune me kryetarët e degëve dhe kryetarët e komunave që udhëhiqen nga LDK. Takimi, i përshkruar si energjik dhe i mbushur me përkushtim, u fokusua në përgatitjet për fushatën e ardhshme elektorale.
Abdixhiku deklaroi se LDK është plotësisht e mobilizuar dhe e koordinuar për të hyrë në fushatë me dinjitet, punë dhe rezultate. Sipas tij, ekipet dhe aktivistët e partisë do të jenë të pranishëm në çdo qytet, fshat e lagje për të përcjellë mesazhin se Kosova ka nevojë për qeverisje të drejtë, institucione funksionale dhe një politikë të matur në shërbim të qytetarit.
“Ndjenja e gatishmërisë në strukturat tona është e fortë, e sinqertë dhe plot motivim. Secili e di peshën e këtij momenti dhe nevojën e vendit për normalitet, stabilitet, zhvillim dhe mbi të gjitha – shpresë,” u shpreh Abdixhiku.
Ai theksoi se LDK e ka nisur këtë betejë si ekip, do ta vazhdojë si ekip dhe është e vendosur ta përmbyllë po ashtu si ekip.
“Shpresë ka. Zgjidheni atë!”, përfundoi ai, duke shoqëruar mesazhin me moton e fushatës: #LDK123.



