
Partia e drejtuar nga Lumir Abdixhiku thotë se liria e medias dhe kritika ndaj saj bashkëjetojnë në demokraci dhe kërkon që organizatat profesionale të shmangin gjuhën politike në reagimet e tyre.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas deklaratës së Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke theksuar se liria e medias është e shenjtë, por edhe e drejta për ta kritikuar median është po aq e rëndësishme në një shoqëri demokratike.
Në reagimin e saj për media, LDK shpreh shqetësimin për qëndrimin e AGK-së, duke thënë se organizata e gazetarëve, në vend që të trajtojë me seriozitet çështjen e standardeve profesionale dhe përgjegjësisë publike në media, ka zgjedhur të përdorë etiketime politike dhe të delegjitimojë një qëndrim të shprehur publikisht.
Sipas LDK-së, kritika dhe debati publik janë pjesë e pandashme e lirisë së shprehjes dhe nuk duhet të interpretohen si sulm ndaj mediave.
“Liria e medias dhe liria e shprehjes nuk përjashtojnë njëra-tjetrën; përkundrazi, ato bashkëjetojnë dhe forcojnë njëra-tjetrën”, thuhet në reagim.
Partia opozitare ka shprehur gjithashtu habi për përfshirjen e referencave politike nga AGK, përfshirë përmendjen e përqindjeve elektorale, duke theksuar se një organizatë profesionale nuk duhet të bëjë vlerësime të tilla.
LDK thekson se kritika e saj nuk ka qenë ndaj medias si institucion dhe as ndaj gazetarëve profesionistë që kryejnë punën e tyre me integritet, por ndaj, siç thuhet, fenomeneve të dëmshme brenda medias që devijojnë nga standardet profesionale dhe dëmtojnë besimin publik përmes shpifjeve dhe dezinformatave.
“Reagimi ynë ishte, është dhe do të mbetet ndaj fenomeneve të dëmshme brenda medias që devijojnë nga standardet profesionale”, thuhet më tej.
Nga ana tjetër, AGK ka dënuar gjuhën e përdorur nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar atë të papranueshme dhe të rrezikshme për mediat dhe gazetarët.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pasi Abdixhiku në “Rubikon”përdori termin “mercenarë medial”, duke pretenduar se disa media publikojnë shpifje për interesa financiare.
Sipas AGK-së, këto deklarata përbëjnë një sulm frontal ndaj lirisë së medias dhe mund të ndikojnë edhe në sigurinë fizike të gazetarëve. Organizata gjithashtu i bëri thirrje Abdixhikut që, nëse ka fakte për pretendimet e tij, t’i paraqesë ato në institucionet përgjegjëse.



