Limaj: Kurti kërkoi partneritet dhe pjesëmarrje të Nismës në qeverisje

Kryetari i Nismës Socialdemokrate tregon prapaskenat e takimit të parë me kryeministrin në detyrë.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka zbuluar detaje nga takimi i tij i parë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Në një intervistë në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ai tha se Kurti ka shprehur qartë dëshirën për partneritet dhe angazhimin e Nismës në qeverisjen e ardhshme.

banner

Limaj theksoi se ka kërkuar sqarime të menjëhershme mbi arsyen e ftesës së tij, duke i vënë në dukje Kurtit se votat e Nismës nuk do të kushtëzohen me përfshirje në qeveri.

“Në takimin e parë me kryeministrin i kam thënë: për çka më ke ftuar? Për vota apo për partneritet? Nëse më keni ftuar vetëm për tri votat, unë jam i gatshëm t’i jap pa kurrfarë kushti”, theksoi Limaj. Ai shtoi se nuk dëshironte që Kurti të ndihej në një situatë të vështirë apo me nevojë urgjente për vota.

Limaj deklaroi se Nisma ishte e gatshme të votonte një qeveri të pakicës, pa marrë poste ministrore dhe pa krijuar obligime politike.

Por sipas tij, kryeministri në detyrë ka insistuar në bashkëpunim më të thellë:

“Z. Kurti më ka thënë po dua partneritet. Tha se janë të interesuar të jemi pjesë e qeverisjes me ministri”, u shpreh Limaj.

Ai theksoi se vendimet e Nismës do t’u shpjegohen qytetarëve me transparencë, duke mbetur të hapur për bashkëpunim që, siç u shpreh ai, i shërben stabilitetit institucional në vend.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.