“Liria Ka Emër”: Mbi 130 mijë qytetarë në marshin “Drejtësi, jo politikë”

Platforma e cilëson tubimin si marshimin më të madh në historinë e Kosovës së lirë.

Platforma Qytetare Liria Ka Emër ka bërë të ditur se, sipas vlerësimeve të ekspertëve dhe të dhënave nga terreni, mbi 130 mijë qytetarë morën pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

banner

Sipas komunikatës, pjesëmarrja masive në mbështetje të Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si dhe bashkëluftëtarëve të tyre, e bën këtë marshimin më të madh në historinë e Kosovës së lirë.

“Sheshi dhe rrugët kryesore të Prishtinës ishin të stërmbushura me qytetarë nga të gjitha komunat e vendit, nga rajoni, diaspora dhe përtej oqeanit. Prania masive, organizimi qytetar dhe mesazhi i qartë e shndërruan këtë marsh në një moment historik të solidaritetit dhe qëndresës qytetare”, thuhet në komunikatë.

Më tej, platforma thekson se mijëra qytetarë të tjerë mbetën të bllokuar në trafik, në hyrje dhe dalje të ndryshme të kryeqytetit, për shkak të fluksit të madh të pjesëmarrësve. “Fluksi i jashtëzakonshëm dëshmon për përmasat reale të këtij mobilizimi mbarëkombëtar. Edhe përkundër kushteve jo të favorshme atmosferike, zëri i popullit nuk u ndal. As shiu, as vështirësitë logjistike nuk e zbehën vendosmërinë për të kërkuar drejtësi dhe liri për çlirimtarët”, thuhet tutje në kumtesë.

Në fund, Platforma ka shprehur mirënjohje për të gjithë qytetarët, familjet, të rinjtë dhe mërgatën që kontribuuan në organizimin dhe pjesëmarrjen në këtë mobilizim, duke theksuar se “kur populli flet, ai flet me dinjitet, me përgjegjësi dhe me zë të fuqishëm”.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.