
Kryetari i Drenasit thekson se hapja ndaj personaliteteve të reja është e domosdoshme për ndryshim të kursit politik në Kosovë.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë thirrje që Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të hapet ndaj profileve të reja dhe personaliteteve të njohura, për t’u forcuar për zgjedhjet e ardhshme.
Përmes një postimi në Facebook, Lladrovci përmendi se partia mund të përfitojë nga përfshirja e figurave si Sylejman Selimi, Fatmir Limaj, Rrustem Mustafa, Atifete Jahjaga, Buna Mustafa, Kolë Berisha, si dhe vajzat e Profesor Çettës – Agata dhe Donika – dhe personalitete të tjera.
“Hapja e PDK-së ndaj personaliteteve të pa përfshira në rrjedha politike është e domosdoshme në këtë kohë vendimtare për kthesën e fortë që i duhet vendit, për të arritur fitore më 28 dhjetor. Kosova ka nevojë për ndryshim të kursit, menjëherë”, deklaroi Lladrovci.
Ai shtoi se skena politike ka nevojë për kompetencë, përkushtim dhe besim, me burime njerëzore të afta për shtet dhe përfaqësim të duhur. Lladrovci kritikoi edhe Degën e PDK-së në Prishtinë, duke theksuar mungesën e profesorëve dhe doktorëve të shkencave që dikur ishin pjesë e partisë dhe Parlamentit.
“Kosovës i duhet qartësim i rrugës dhe vlerave mbi të cilat u ndërtua. Me vullnet e përkushtim, arrihet fitorja”, përfundoi Lladrovci.
Në këtë mënyrë, ai nxit një debat mbi hapjen e PDK-së dhe rolit të profileve të reja për të ndikuar në të ardhmen politike të vendit.



