
Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit, ka komentuar gjendjen brenda partisë, duke theksuar sfidat që përballon PDK-ja para nisjes së fushatës dhe ndryshimit të kreut.
Ai nënvizoi nevojën për reflektim dhe unitet brenda partisë, duke theksuar se për të rikthyer PDK-në në rrugën e duhur është e domosdoshme largimi i shkurtpamësisë politike dhe veprimet me vizion.
Lladrovci ka shkruar në Facebook, se partia nuk po reflekton dhe nuk po largon “mjegullën” e krijuar pas rezultateve të dobëta në Drenas.
“Përkundër deklarimeve të mija, të qarta si rrezja e diellit, mjegulla rreth Drenasit nuk po hiqet. Për fat të keq, nga disa eksponentë, gjendja po promovohet normale dhe disfata po paraqitet fitore. Mësimi nga Drenasi, siç shihet, nuk pati efekt. Reflektimet në opinion nga ndonjë eksponent i lodhtë me ligjërata koti, apo nga z. Hamza që synon të barazoj shkakun dhe pasojën. Kjo nuk është rrugë për ta fuqizuar partinë as degën,” tha Lladrovci.
“Uniteti është zotim i përkushtimit për qëllime më të larta se fati i një dege apo individi. Uniteti është kusht i fitores për ta ndryshuar gjendjen e Kosovës, e cila qëndron mbi çdo sakrificë tonën” – ka shtuar ai.
Lladrovci theksoi gjithashtu nevojën për ridefinim të qasjes dhe metodave të veprimit politik dhe organizativ.
Postimin e tij, Lladrovci e ka shoqëruar edhe me një fotografi nga deti, i cili në prapavijë duket i trazuar.
Nuk dihet nëse Lladrovci këtë fundjavë është duke e kaluar në deti.
Po ashtu, nuk dihet nëse deti i trazuar është ndonjë metaforë për trazimet që mund të shkaktohen PDK-së në zgjedhjet 28 dhjetorit nga përplasja në Drenas.



