
Presidenti amerikan Donald Trump synon të marrë kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit për të favorizuar pozicionin e SHBA dhe Izraelit në konfliktin me Iranin.
Në një mesazh të fundit, Trump u bëri thirrje vendeve të rajonit të marrin masat e tyre, duke garantuar se SHBA do të jetë pranë tyre:
“Shtetet e Bashkuara kanë goditur dhe kanë dëmtuar rëndë Iranin, ushtarakisht dhe ekonomikisht, por vendet që marrin naftë përmes Hormuzit duhet të kujdesen për këtë kalim, dhe ne do të ndihmojmë shumë.”
5,000 marinsa amerikanë dhe plani për “invazion të vogël”
Sipas informacioneve të publikuara, ky kontroll parashikon angazhimin e 5,000 marinsa amerikanë që po dërgohen nga SHBA në rajon. Trump dhe stafi i tij kanë planifikuar një “invazion të vogël” – një operacion tokësor i kufizuar – për të marrë kontrollin e Hormuzit.
Përveç forcimit të flotës amerikane, presidenti ka kërkuar mbështetjen e vendeve aleate me interesa në rajon, në mënyrë që të sigurohet një kontroll i plotë i kalimit të sigurt të anijeve dhe të zvogëlohen efektet e luftës, duke e privuar Iranin nga një nga “armët” e tij kyçe.
Trump ka paralajmëruar sulme të ashpra kundër Iranit dhe ka deklaruar se goditjet më të fuqishme priten brenda ditëve të ardhshme. Ai gjithashtu ka refuzuar çdo bisedë me Teheranin për një zgjidhje diplomatike të konfliktit, ndërsa autoritetet iraniane kanë bërë të qartë se nuk do të pranojnë negociata përpara se SHBA dhe Izraeli të ndalojnë sulmet ajrore.
Forcat amerikane kanë urdhëruar USS Tripoli, njësinë e marinës me bazë në Japoni, të dërgohet menjëherë në Gjirin Persik për udhëzime mbi operacionin e ardhshëm.
Sipas raportimeve të BBC, sisteme amerikane anti-raketore janë transferuar nga Koreja e Jugut në rajon për të forcuar linjat e frontit, duke reflektuar rritjen e tensioneve dhe pasigurinë mbi zhvillimet në terren.
Ekspertët parashikojnë se kriza në Lindjen e Mesme dhe lufta me Iranin po afrohet drejt një eskalimi të madh, ndërsa Trump përpiqet të gjejë një zgjidhje për një situatë që duket se nuk e kishte vlerësuar plotësisht më parë.



