
Lumir Abdixhiku: Dega e LDK-së në Malishevë propozon Fetah Rudin dhe Gjeneral Gëzim Hazrollin për deputetë.
Kryetari i LDK-së shprehet i lumtur për propozimet e degës lokale dhe vlerëson kontributin e Fetah Rudit si pjesë të historisë së partisë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar mbrëmë nga selia qendrore e partisë se Dega e LDK-së në Malishevë ka propozuar Fetah Rudin dhe Gjeneral Gëzim Hazrollin si kandidatë për deputetë në zgjedhjet e ardhshme.
Në një postim të bërë publik, Abdixhiku ka vlerësuar lart figurën e Fetah Rudit, duke e quajtur “pjesë të pashkruar në muret tona, por të gdhendur në historinë tonë”, dhe ka shprehur mirënjohje për kontributin e tij shumëvjeçar në LDK.
“Mirëmbrëma nga Selia Qendrore e LDK-së. Me Fetah Rudin, pjesë e pashkruar në muret tona, por e gdhendur në historinë tonë. I lumtur që Dega jonë në Malishevë ka propozuar atë dhe Gjeneral Gëzim Hazrollin si kandidatë për deputetë. Ju priftë e mbara burra!”, shkroi Abdixhiku.
Propozimet e degëve të LDK-së po vazhdojnë në kuadër të procesit të brendshëm të përzgjedhjes së kandidatëve për listën zgjedhore, derisa partia pritet të finalizojë listën përfundimtare në javët e ardhshme.



