
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar për emërime të reja në disa pozita organizative të partisë, në përputhje me vendimet e Kuvendit të fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas njoftimit, Ilir Ferati është emëruar Sekretar i Përgjithshëm i partisë, me përgjegjësi për drejtimin dhe koordinimin e aparatit institucional dhe administrativ, si dhe për zbatimin e vendimeve të organeve drejtuese.
Ndërkaq, Sokol Haliti është emëruar Sekretar për Mërgatë, me detyrë forcimin e lidhjes së partisë me diasporën dhe përfshirjen e saj në jetën politike dhe zhvillimore të vendit.
Po ashtu, Visar Azemi është emëruar Sekretar Organizativ, me përgjegjësi për koordinimin e strukturave organizative të partisë në të gjitha nivelet.
Abdixhiku tha se këto emërime janë pjesë e fazës së konsolidimit organizativ dhe politik të partisë, në përputhje me orientimet e përcaktuara nga Kuvendi i fundit i LDK-së.
Ai shprehu mirënjohje edhe për Imri Ahmeti, i cili deri në Kuvendin e fundit të partisë ka ushtruar detyrën e sekretarit, duke e falënderuar për kontributin në funksionimin institucional dhe organizativ të LDK-së.
Abdixhiku paralajmëroi se së shpejti do të prezantohet edhe përbërja e re e Kryesisë së partisë, si pjesë e procesit të riorganizimit të strukturave drejtuese.



