
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar qeverinë e Albin Kurtit për përdorim elektoral të pagesave ndaj studentëve, duke e cilësuar këtë si tentim për blerje votash dhe shenjë të frikës së pushtetit para zgjedhjeve lokale.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër pas njoftimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për procesimin e pagesave prej 100 eurosh për studentët.
Në një postim publik, Abdixhiku ka akuzuar Kurtin se po përdor fondet publike për qëllime zgjedhore, vetëm pak ditë para mbajtjes së balotazhit.
“Të ardhmen që ua vodhi, në shtetin më të varfër e më të izoluar në Evropë, me arsimin ndër më të fundit në botë, provon t’ua blejë me 100 euro për votë – tre ditë para balotazhit,” ka shkruar Abdixhiku.
Sipas tij, qeveria aktuale po i trajton studentët si “material shitblerjeje zgjedhore”, duke shfaqur shenja paniku e frike përballë humbjes. “Një regjim i frikësuar dhe në rënie të lirë, po trajton studentët e Kosovës si material shitblerje zgjedhor,” ka theksuar ai.
Abdixhiku ka theksuar se studentët janë forca që “drejtojnë kohë, rrëzojnë regjime e përcaktojnë epoka”, dhe ka paralajmëruar se përpjekjet për t’i manipuluar ata me përfitime financiare do të dështojnë.
“Prandaj, këta SMS ‘cringe’ para zgjedhjeve nuk blejnë as heshtjen, as shpresën, as votën. I keni nënçmuar. Do t’iu kthejnë përgjigje këtë të diel me votë,” ka përfunduar kreu i LDK-së, duke shtuar se “Kosova është shumë më e mençur sesa po e trajton kryepopullisti sot.”



