
LDK vlerëson rolin e Kosovës si kontribuese e paqes globale dhe thekson rëndësinë e aleancës me SHBA-të.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar pjesëmarrjen e Kosovës në iniciativën ndërkombëtare për paqen, të udhëhequr nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke e cilësuar këtë si një “moment që tejkalon secilin lajm ditor”.
Sipas Abdixhikut, për një shtet që ka kaluar nga lufta në liri falë ndërhyrjes ndërkombëtare, prania në tryezat ku diskutohet paqja globale përfaqëson si një dëshmi të suksesit të Kosovës, ashtu edhe përgjegjësi për rolin e vendit si shtet i ri. “Kosova nuk shihet vetëm si përfituese e paqes, por edhe si pjesë e saj,” tha ai.
Abdixhiku shtoi se çdo hap i përbashkët me SHBA-të forcon sigurinë kombëtare, thellon aleancat strategjike dhe vendos Kosovën në krah të paqes dhe aleancave të drejta. LDK-ja mbështet këtë hap drejt një kapitulli të ri dhe e sheh si një arritje kombëtare për të gjithë qytetarët.



