Lushaku-Sadriu tregon pse LDK-ja nuk e votoi rezolutën pro Thaçit dhe të tjerëve

Shefja e Grupit Parlamentar thotë se partia nuk ishte e përfshirë në konsultime për tekstin e rezolutës

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se partia e saj nuk mori pjesë në votimin e rezolutës për Hagën, pasi nuk u përfshi amandamenti i propozuar nga LDK-ja.

banner

Këto komente ajo i bëri për media pas përfundimit të seancës së sotme parlamentare, duke sqaruar arsyet e qëndrimit të tyre.

“Kemi mbajtur një mbledhje të Kryesisë ku jemi dakorduar për rendin e ditës, dhe si parti politike dhe grup parlamentar nuk kemi qenë të njoftuar për përmbajtjen e kësaj rezolute. Për këtë, ne kemi miratuar që të mos ndërpresim procedurën, jemi pajtuar të hyjmë në seancë, por kemi kërkuar tekstin. Kemi ardhur në seancë duke mos qenë të përfshirë në grupin konsultativ në lidhje me këtë rezolutë”, tha Lushaku-Sadriu.

Ajo shtoi se gjatë seancës kanë propozuar një amandament, por sipas saj, ai nuk u hodh në votim.

“Në seancë kemi bërë një propozim të një amandamentimi, të cilin keni pasur mundësinë ta dëgjoni edhe përmbajtjen e tij, dhe meqë kryetarja nuk e vuri në votim këtë amandament, ne jemi rezervuar nga votimi”, deklaroi ajo.

Gjatë fjalës së saj në seancë, Lushaku-Sadriu kërkoi që në rezolutë të shtohet edhe një pikë që lidhet me zbardhjen e vrasjeve të pazbuluara.

“Kjo rezolutë kërkon nga të gjitha institucionet e rendit dhe ligjit të Kosovës, si dhe inkurajon mbështetjen ndërkombëtare për intensifikimin e përpjekjeve drejt zbardhjes së plotë të gjitha vrasjeve të pazbuluara të ndodhura gjatë dhe pas luftës në Kosovë…”, tha ajo.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.