
Fokus në stabilitet institucional, ekonomi dhe adresimin e krizave të grumbulluara.
Lutfi Haziri, përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka folur rreth planit të partisë për zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar sfidat aktuale politike dhe prioritetet programore të LDK-së.
Haziri deklaroi se në dy tentativa të mëparshme, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të krijojë qeverinë, duke shtuar se situata politike ka çuar në rikthimin e procesit zgjedhor. Ai theksoi se problemet e grumbulluara gjatë krizës politike që nga muaji shkurt nuk mund të anashkalohen.
“Problemet që janë grumbulluar gjatë krizës që nga shkurti deri tash nuk mund të injorohen,” u shpreh Haziri.
Sipas tij, LDK-ja ka ndërtuar një program gjithëpërfshirës, në të cilin janë identifikuar problemet sistemore në 23 sektorë të ndryshëm. Ky program është strukturuar në disa shtylla kryesore, përfshirë stabilitetin institucional, me synim zgjedhjen e qeverisë dhe presidentit, zhvillimin ekonomik përmes përmirësimit të investimeve dhe menaxhimit të situatës ekonomike, si dhe garantimin e sanimit të krizave të grumbulluara.
Haziri po ashtu theksoi bashkëpunimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke vënë në pah rëndësinë e menaxhimit të investimeve në mënyrë që të përfitojnë grupmosha të ndryshme të shoqërisë. Sipas tij, LDK synon zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.



