
Ramiz Lladrovci nuk është duke qëndruar duarkryq. Në fakt, Lladrovci, që u rizgjodh kryetar i Drenasit në tetor, është goxha aktiv edhe në media, edhe në rrjetet sociale, edhe me takime. Pra edhe me zë, edhe me shkronja, edhe me biseda. Së fundmi, Lladrovci ka bërë disa takime interesante dhe të përzgjedhura.
Lladrovci në fillim të javës doli në Klan Kosova, ku foli për pëkanqësitë me ish-Kryesinë e PDK-së e Memli Krasniqin, shkruan Gazeta Politika. Megjithatë, Lladrovci e theksoi kategorikisht se është pjesë e PDK-së. Megjithatë, Lladrovci e la të hapur edhe opsionin që të garojë i vetëm, nëse nuk arrihet një marrëveshje.
“Nëse shkojmë bashkë në zgjedhje, është sukses shumë i madh. Por edhe nëse nuk shkojmë, unë nuk hezitoj të shkoj edhe me iniciativë” – theksoi Lladrovci.
Gjatë javës, Lladrovci realizoi dy takime të rëndësishme, për të cilat njoftoi publikisht. Takimi i parë ishte me dy gjeneralë të luftës së UÇK-së, Sylejman Selimin dhe Agim Çeku, të dy ish-komandantë të përgjithshëm të ushtrisë gjatë e pasluftës. Madje, Lladrovci e cilësoi edhe veten gjeneral.
Lladrovci e quajti “takim me vlerë”, duke shtuar se ushtarakët “pa uniform janë më kërkues për zhvillimet në vend”.
“Takim me vlerë…tre gjeneralë. Diskutuam për vlerësimet historike të Gjeneralit Clark, për luftën tonë të drejtë, pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe pafajësinë e heronjve tanë të luftës dhe paqes. Fat që i takuam gjeneratës së çlirimit, ndërtimit të aleancës historike me NATO-n dhe proceseve pozitive për Kosovën. Zakonisht ushtarakët pa uniformë janë më kërkues për zhvillimet në vend, më energjik për ecjen e shtetit përpara!” – shkroi Lladrovci, transmeton Gazeta Politika.
Takimi i dytë ishte edhe më i bujshëm dhe më tërheqës për spekulime politike. Lladrovci e takoi Bekim Jasharin, djali i heroit Hamëz Jashari, i cili dikur ishte edhe kryetar i Skenderajt.
Ishte një takim interesant, me përmasa të mëdha simbolike, pasi Bekimi, përveç se është pasardhës i familjes legjendare Jashari, njihet edhe si përkras i palëkundur i LLadrovcit. Madje këtë të fundit, Jashari e përkrahu publikusht edhe në garën e fundit.
“Bekimi bart pjesën e peshës së nderit dhe krenarisë së Jasharajve legjendarë, bashkë me vlerat që shënojnë lirinë tonë.
Rruga me miq të dëshmuar, bëhet më e lehtë!” – shkroi Lladrovci.
Javëve të fundit ka pasur shumë spekulime për lëvizjet e ardhshme të Lladrovcit, përfshirë mundësinë e themelimit të një liste për të garuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Tashmë zgjedhjet janë shpallur zyrtarisht dhe me 28 dhjetor qytetarët do të hedhin votën e tyre.
Nuk dihet nëse këto takime të Lladrovcit janë pjesë e përpjekjes për të themeluar një listë apo një strategji për të bërë presion mbi PDK-në. Sidoqoftë, Lladrovci vazhdon të mbetet një çështje e pazgjidhur për PDK-në. Madje, hiç më larg se sot, Lladrovci shkroi edhe një tjetër status interesant, të cilin mund ta lexoni më poshtë:



