
Burime të “Nacionales” bëjnë me dije se dorëheqja do të ndodhë në mbledhjen e sotme të Kryesisë, pas rezultateve nën pritshmëri në zgjedhjet lokale
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pritet të japë dorëheqje nga posti i udhëheqësit të partisë gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë.
Burime të gazetës Nacionale kanë bërë të ditur se Krasniqi do ta ofrojë dorëheqjen si rezultat i mosarritjes së objektivave të PDK-së në zgjedhjet e fundit lokale.
Sipas po të njëjtit burim, me këtë veprim do të hapet rruga për mbajtjen e një konvente të re zgjedhore të PDK-së, ku pritet të zgjidhet udhëheqja e re e partisë.
Pas mbledhjes së Kryesisë, Krasniqi pritet të mbajë një konferencë për media, ku do të sqarojë arsyet dhe hapat e ardhshëm të partisë.
Në zgjedhjet e fundit lokale, PDK-ja ka fituar gjashtë komuna: Prizrenin, Ferizajn, Skenderajn, Vushtrrinë, Kaçanikun dhe Hanin e Elezit, ndërsa ka humbur Drenasin dhe Mitrovicën, dy bastione tradicionale të saj.
Memli Krasniqi ishte zgjedhur kryetar i PDK-së më 3 korrik 2021, në konventën zgjedhore të partisë, ku kishte marrë 469 vota për, ndërsa vetëm 7 vota kishin qenë kundër.



